Ministri Malaj: Fermerët përjashtohen nga ulja e pragut të TVSH, do të rregullohet me VKM
Fermerët nuk do të preken nga ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se përjashtimi do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa ndryshimi i pragut është rekomanduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se fermerët do të përjashtohen nga ndryshimi i pragut të regjistrimit në TVSH, i cili parashikohet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
Gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të deputetëve të opozitës, përpara nisjes së diskutimit të projektbuxhetit dhe Paketës Fiskale 2027, ministri Malaj sqaroi se përjashtimi i fermerëve do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM).
“Fermerët nuk do të preken nga ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë. Ata do të përjashtohen nga ky ndryshim, ndërsa përcaktimi i kufijve dhe mënyra e zbatimit do të rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), dhe jo përmes ndryshimeve në ligjin aktual të TVSH-së”, deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj.
Deklarata e ministrit vjen pas shqetësimeve të ngritura nga kontabilistët e Aleancës së Profesionistëve të Lirë dhe Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM), gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për Paketën Fiskale.
Ekspertët paralajmëruan se përgjysmimi i pragut mund të sillte daljen e një pjese të fermerëve nga skema e kompensimit të TVSH-së me 10 për qind.
Përjashtimi i paralajmëruar nga ministri Malaj pritet të shmangë këtë efekt. Megjithatë, sipas kontabilistëve, zbatimi konkret do të varet nga përcaktimet që do të bëhen në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Ulja e pragut të TVSH-së, Malaj: Rekomandim i Fondit Monetar Ndërkombëtar
Gjatë seancës në Kuvend, ministri Malaj sqaroi se ulja e pragut është kërkuar prej kohësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), pasi Shqipëria kishte një nga kufijtë më të lartë të regjistrimit në TVSH në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, niveli aktual nuk ndihmonte mjaftueshëm në formalizimin e ekonomisë dhe zgjerimin e bazës së tatueshme.
Ministri i Financave solli në vëmendje edhe historikun e ndryshimit të pragut, duke theksuar se vendimet për nivelin e tij janë marrë në përputhje me zhvillimet ekonomike.
“Ulja e pragut të patatueshëm të TVSH-së vjen nga kërkesat e vazhdueshme të organizmave ndërkombëtarë, konkretisht të FMN-së, pasi pragu që Shqipëria kishte në fuqi ishte ndër më të lartët në Europë dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky nivel nuk ndihmonte në formalizimin e ekonomisë dhe zgjerimin e bazës së tatueshme.
Nga viti 1996 deri më sot, pragu i patatueshëm ka ndryshuar tetë herë. Në vitin 1996 ishte 2 milionë lekë, në vitin 1999 u rrit në 5 milionë lekë dhe në vitin 2001 arriti në 8 milionë lekë. Në vitin 2010 u ul përsëri në 5 milionë lekë dhe më pas në 2 milionë lekë.
Çështja e pragut të TVSH-së është trajtuar ndër vite dhe, në përputhje me zhvillimet ekonomike, Shqipëria ka marrë vendime për nivelin e tij”, pohoi Malaj.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)